Stramaçioni nxjerr në shitje Shnajder!

Stramaçioni nxjerr në shitje Shnajder!

Andrea Stramaçioni ka treguar se nuk do të shohë askënd në fytyrë dhe do të punojë duke patur në mend vetëm të mirën e Interit, ndonëse kjo do të thotë të bëhen sakrifica të rëndësishme edhe në kontingjentin e lojtarëve. Ai ka pranuar se tashmë askush nuk është i paprekshëm dhe i pashitshëm, ndonëse një lojtar si Shnajder e cilëson të rëndësishëm për skemat e ekipit. “Ky është një moment i vështirë për futbollin në përgjithësi. Si asnjëherë më parë, në Evropë këtë vit janë mbyllur shumë pak transferime për shkak të krizës financiare. Shnajder i pashitshëm? Nga ana tekniko-taktike është thelbësor, por nuk mund të them se është i pashitshëm. Ky do të ishte abuzim me pushtetin. Unë mundem vetëm t’i them presidentit të mendohet mirë nëse i vjen një ofertë e rëndësishme”, deklaroi trajneri i Interit duke bërë të qartë se zikaltërit janë të gatshëm të negociojnë me këdo që kërkon holandezin. Një tjetër emër që ka krijuar shqetësim në radhët e Interit është ai i portierit Hulio Cesar, pasi zikaltërit kanë marrë që tani sllovenin Samir Handanoviç, ndërsa duket se kërkojnë të largojnë brazilianin. “Interi ka të drejtën të bëjë zgjedhjet që i cilëson më të mirat. Unë nuk kam asnjë problem me Hulio Cesar, vlera e tij nuk vihet në diskutim, pasi ai është mes portierëve më të mirë në botë”, deklaroi Stramaçioni pas stërvitjes së parë me zikaltërit.
Tags
Facebook Share Button Demo