Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut sillen në Shqipëri për 100 vjetorin

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut sillen në Shqipëri për 100 vjetorin

Tiranë – Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ndodhet në Kroaci në kuadër të Samitit në Dubrovnik, zhvilloi një takim me zëvendëskancelarin dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë, Mihail Shpindeleger. Zëvendëskancelari austriak, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, i shprehu kryeministrit shqiptar urimet për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, duke e quajtur atë një jubile të madh për vendin. Në këtë kontekst, Shpindeleger premtoi se përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen në Shqipëri për t’u ekspozuar për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike. Gjithashtu, ai bëri të ditur se Austria do të marrë pjesë në festimet për 100 vjetorin e pavarësisë me përfaqësues të autoriteteve më të larta, si dëshmi e miqësisë dhe lidhjeve të ngushta midis të dy vendeve e popujve. Shpindeleger garantoi gjithashtu se Austria do ta mbështesë fuqishëm Shqipërinë në hapat e mëtjeshme drejt integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht zëvendëskancelarin austriak për të dy lajmet e mira, të ekspozimit në Shqipëri të përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, si edhe për përfaqësimin e Austrisë në festimet e këtij jubile, përmes autoriteteve më të larta. Berisha, duke sjellë në vëmendje, me vlerësimin më të lartë, kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë dhe kombit mik austriak në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë në atë periudhë kritike për fatet e kombit dhe pavarësisë së Shqipërisë, tha se shqiptarët ndihen shumë të lumtur dhe mirëpresin me kënaqësi të veçantë lajmin që autoritetet e larta të Austrise mike do të na nderojnë me pjesëmarrjen në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Në memorien e kombit, u shpreh kryeministri shqiptar, kontributi i ministrit të Jashtëm të Austro-Hungarisë, Kontit Bertochd dhe i vendeve mike Austrisë e Hungarisë do të qëndrojë përhere në altarin më të lartë të vlerësimit të kombit shqiptar. Në këtë kontekst, Berisha shprehu mirënjohjen më të thelle për mbështetjen e vazhdueshme të Austrise, gjatë gjithë kësaj periudhe, për mbështetjen për statusin e vendit kandidat dhe ecjen përpara me integrimin. Një falënderim të veçantë, Berisha i bëri zëvendëskancelarit austriak për projektet e suksesshme të bashkëpunimit midis të dy vendeve që po implementohen në Shqipëri, si ai në fushën e regjistrit elektronik të pronave dhe projekte të tjera, por edhe vlerësimin për suksesin e investitorëve të rëndësishëm austriakë në sektorë të rëndësishëm për ekonominë shqiptare si ai i prodhimit të energjisë hidrike etj. Në mbyllje të takimit, kryetari i Qeverisë shqiptare e ftoi përzemërsisht atë në Shqipëri. Shpindeleger, duke e pritur me kënaqësi ftesën, i shprehu edhe një herë kryeministrit shqiptar, përgëzimet për arritjet e mëdha të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe.
Tags
Facebook Share Button Demo