Batha zbatoi rregullat, e paditi skuadrën e AEL Larisa dhe FIFA i dha të drejtë lojtarit dhe klubi duhet t’i paguante 181 mijë euro, sipas asaj që parashikonte kontrata. Vendimi u konfirmua dhe nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS) në datën 18 maj të vitit 2018.
Megjithatë, pavarësisht vendimit, AEL Larisa nuk është treguar korrekte me pagesat dhe në datën 17 dhjetor të vitit të shkuar, mesfushori i cili është pjesë e UTA Arad në Rumani, ka paditur sërish klubin grek, duke pretenduar për afro 81 mijë euro, për shkak se shuma e parashikuar në vendimin e parë nuk kishte kaluar sipas pikave që ishin parashikuar në vendim.
Çështja shkoi sërish në favor të të Bathës, i cili në datën 6 prill fitoi përsëri në FIFA, me klubin grek që ishte i detyruar që të shlyente pjesën e mbetur të detyrimeve, por dhe gjobën për mos respektimin e vendimit të parë.
“SuperSport” mëson se AEL LArisa ka shlyer vetëm gjysmën e shumës, ndërsa nuk ka respektuar vendimin e FIFA-s, çka i ka sjellë dhe bllokimin e merkatos, pikërisht për këtë çështje. Sipas verifikimeve, deri në këtë moment skuadra greke nuk ka mundur që të federojë asnjë lojtar në skuadër, ndërsa ky dënim mund t’i hiqet në momentin që do të shlyejë plotësisht detyrimet.
Sipas dokumentit zyrtar, klubi i AEL Larisa duhet t’i paguajë 80,138 euro plus 10% interes, nga të cilat 55,138 euro si detyrim i pashlyer plus 10% interes ndërsa 25.000 euro si gjobë kontraktuale.
Asokohe drejtori teknik i AEL Larisës, Sotiris Markos njoftoi ndërprerjen e kontratës duke u shprehur: “Arsyeja pse u anulua kjo marrëveshje është se pamë në internet një foto të lojtarit që bënte me dorë (shqiponjën) simbolin e Shqipërisë së Madhe. Kjo është diçka jo e mirë sepse ne kemi shumë lojtarë serbë në ekip dhe gjithashtu Shqipëria e Madhe përfshin vende brenda Maqedonisë, gjithashtu edhe Greqisë. Gjithashtu shumë tifozë do të mbetnin të zhgënjyer’, por me asnjëherë nuk do e mendonte se ajo foto me shqiponjë do u kushtonte një thes me para, me Bathën që nuk e veshi asnjëherë fanellën e AEL Larisa.